Overblog
Editer l'article Suivre ce blog Administration + Créer mon blog
SIMBAD

Le voyage pour moi ce n'est pas arriver, c'est partir. C'est l'imprévu de la prochaine escale, c'est le désir jamais comble de connaitre sans cesse autre chose. C'est demain, éternellement demain ...

Baudelaire - Poémes censurées ...

Publié le 1 Mars 2006 par Simbad Detari in CHARLES BAUDELAIRE


PROCESI GJYQESOR I LIBRIT

 'LULET E SE KEQES'

 

Charles Baudelaire: 
"Qysh në fëmijëri, unë ndjeva në zemrën time dy ndjenja krejt të kundërta, tmerrin dhe ekstazën e jetës"


Dënimi për përdorim fjalori të turpshëm si edhe fyerje të moralit publik i shkaktoi vëllimit poetik Lulet e së Keqes ( Les Fleurs du Mal ) të poetit të shquar francez Sharl Bodler ( Charles Baudelaire ) të njëjtën famë e zhurmë dyshimi, ashtu siç ndodh jo rrallë herë edhe në ditët tona, ndaj persekutimit të krijimeve të ashtuquajtura pornografike. Poeti Artyr Rambo ( Arthur Rimbaud ) thoshte për Bodlerin se ... ai qe vetë Perëndia !, ndërkohë që gjykatësit e Napoleonit të III-të shihin te ai vetë Djallin dhe e dënuan të hiqte prej vëllimit në fjalë, gjashtë poezi, nenë akuzën se ato paraqisnin pamje të turpshme e fjalor të ndyrë te cilat fyenin rendë moralin shoqëror. Pas kësaj, vetë Bodleri këmbënguli e protestoi duke kërkuar që libri duhej gjykuar në tërësinë e tij dhe, jo në poezi të veçanta, se blasfemitë e tij i drejtoheshin qiellit e jo Zotit, por më kot ...

Në fakt, procesi ndaj përmbledhjes së famshme Lulet e së Keqes, një nga kryeveprat e Poezisë Franceze dhe Botërore, kish nisur dhjetë ditë pas botimit të tij të parë në 1.300 ekzemplarë, pikërisht më 5 korrik 1857, me një artikulli të gazetës Le Figaro ku ndër të tjera, shkruhej se: '… është e palejueshme që, një person si autori i librit i cili i ka kaluar të tridhjetë vjetët, të shkruajë një vepër të tillë monstruoze ... Ka momente bile, kur mund të dyshohet edhe për vetë gjendjen e tij mendore ... Kurre s’kemi parë kaq shumë puthje e kafshime gjoksesh, kaq shumë demonë, djaj, kufoma, mace e krimba ... Ky libër është një spital i hapur për çdo lloj idiotësie e fëlliqesie të shpirtit njerëzor“. Pas kësaj, Ministria e Brendëshme e hodhi librin në gjyq e, ndërkohë, gazeta Le Figaro e vazhdoi edhe më tej fushatën kundër Bodlerit. '

Dhjetë ditë pas procesit, Victor Hugo që prej ishullit Guernesey ku ndodhej në egzil, në një letër drejtuar Bodlerit, ndër të tjera i shkruante: Lulet tuaja të së Keqes vezullojnë e rrezatojnë si drita e yjeve ( ... ) Pa dashje, regjimi, ju ka dhenë një prej dekoratave të tij më të vyera. Drejtësia ju dënoi në emër të atij të cilin ajo e quan Moral e, kjo, është edhe një medalje tjetër më tepër për ju ...”. Më 1924 botuesit, të cilët kishin edhe të drejtën e autorit, publikuan për herë të parë edhe poezitë e dënuara, por libri u hoq përsëri nga qarkullimi. Vetëm 92 vjet më pas, më 31 maj 1949, Gjykata e Kasacionit në Paris e anuloi vendimin e procesit të zhvilluar më 1857, duke rehabilituar kështu për herë të parë dhe përfundimisht, të gjashtë Poezitë e Mallkuara.

             POEZITE E  CENSURUARA TE ' LES FLEURS DU MAL '

Duke shkruar përmbledhjen Les Fleurs du mal, Bodleri s’kish ndërmend te shkruante një libër qe i cili do cilësohej si tmerr i se keqes. Megjithatë, vepra e tij u gjykua ashpër e disa poezi u censuruan për arsye se ato përmbanin pasazhe e shprehje te cilësuara te turpshme e imorale. Ndërkohe, poezitë e tjera nuk u censuruan, pasi ato u gjeten me pak imorale ne krahasim me gjashte poezitë e ndaluara.  ( Gjashte poezitë e censuruara ishin: Lesbos, Femmes Damnées Le Léthé, A Celle qui est trop gaie, Les Bijoux, Les Métamorphoses du Vampire, te cilat me pas u botuan për here te pare ne Belgjike, por jo ne France, me 1866 ne një vëllim te titulluar "Epaves"). Këto poezi, veçanërisht ato me titull Lesbos e Femmes Damnées, për pjesën me te madhe te lexuesve dhe vete shoqërinë e asaj kohe, shfaqnin hapur sensualizmin, erotizmin, dëshirën seksuale, mahnitjen dhe shtysën drejt trupit te femrës. Por duhet thëne se, ndërkohe, ne vëllim kishte edhe poezi te tjera, te cilat mund te shkaktonin shqetësim e reagim nga autoritetet fetare, te tilla si: A une Charogne (Një kërmë) e Les Litanies de Satan, (Litanite e Satanit) qe s'u censuruan prej gjykatës ...   

Sharl Bodler dhe botuesi i librit, Poulet-Malassis, u thirrën në gjykatën korrektuese të Senës. Bodleri morri për mbrojte nje avokat te ri e pa pervoje, Maître Chaix d'Est, ne bashkëpunim me të cilin nisen punën për përgatitjen e dosjes. ( Dosje, në të cilën gjenden edhe shprehjet e tij, tashmë të famëshme: Libri im, pra, duhet të gjykohet në bashkësinë e vet, në tërësinë e tij estetike e pas kësaj del edhe morali i tij i” tmerrshëm”. (…) Në, fakt, ka shumë lloje moralesh. Kemi moralin pozitiv dhe praktik, të cilit duhet që gjithë bota t’i bindet por, ka edhe një Moral të Artit. Ky i fundit është krejt i veçantë e, atë, Arti e ka përjetuar qysh prej fillimit të jetës njerëzore. Sepse, ka edhe disa lloje lirish, ka liri për Gjenijt’ e ka edhe një liri të kufizuar për Njerëzit e Mrapshtë".

Procesi u zhvillua në Dhomën Korrektuese ku zakonisht gjykoheshin mashtrues, vjedhës e prostituta. Seanca gjyqësore u mbajt në 20 gusht 1857. I pari që foli kundër librit të Bodlerit qe zv/prokurori Pinard, i cili një vit më parë kish drejtuar edhe procesin ndaj romanit Madame Bovary te Gustave Flaubert. Ai morri në mbrojtje moralin fetar dhe insistoi se, libri në fjalë, përveç të tjerash, përbente edhe krimin e fyerjes së moralit publik. Pastaj, ai këmbënguli që autori të denohej e goditi ashpërsisht jo vetëm atë, por ngriti zërin për ndëshkimin edhe të gjithë “ tendencave të tilla në rritje, kësaj etheje të semurë, të mbrapshtë e të ulët e cila i shtyn njerëzit të pikturojnë e të shkruajnë ç’ti u vijë ndër mend, sikur morali publik të mos egzistonte fare...“. Në fakt, procedura gjyqesore u be shpejt, sa për të thenë, sepse nga Minstria e Brendëshme vërejtjet e komentet, kishin ardhur të egra e të padiskutueshme. Procesi i drejtuar nga zv/prokurori Pinard u zhvillua pak a shume kështu : u cituan disa fragmente e pasazhe nga poezitë e vëllimit, per t’i provuar trupit gjykues se, me përmbajtjen e tyre të turpëshme, ato ishin në kundërshti të plotë me moralin publik e fetar. Mbrojtja e avokatit të Bodlerit, Maitre Chaix d’Est-Ange, i cili zuri në gojë edhe vepra të tjera te njohura të dyshura për akuza të tilla por të padënuara kurrë, as qe mundi të ndryshojë gjë e, për më tepër, s’ishte as në nivelin qe duhej. Denimi: 300 franga gjobë për poetin, 200 franga për botuesin, heqjen e gjashtë poezive nga botimi si edhe privim nga të drejtat e tyre civile. Verdikti ishte i rendë edhe pse trupi gjykues hoqi dorë nga akuza për ofendim të moralit fetar por që theksoi se, përsa i përket fyerjes së moralit publik dhe normave të shoqërisë, kishte vend për denim, sepse libri përmbante jo pak pasazhe të turpëshme si edhe shprehje imorale.

Përfundimisht, trupi gjykues urdhëroi ndalimin e poezive të më poshtëme Les Bijoux ( Stolitë ), Métamorphoses du Vampire ( Metamorfozat e Vampirit ). Le Léthé ( Leteja ), A celle que est tres gaie ( Asaj – të lumturuarës ), Femmes damnées ( Gra te mallkuara ) dhe Lesbos ( Lesbos). Bodler, autori i poezive Lulet e së Keqes, teksa po dilte nga salla e audiencës, iu përgjigj kështu një mikut të tij, i cili e pyeti në se priste që gjoba edhe mund t’i falej : Të më falin ?... Përkundrazi !... Unë pres që nderi im të vihet në vend !…



Commenter cet article