Overblog
Editer l'article Suivre ce blog Administration + Créer mon blog
SIMBAD

Le voyage pour moi ce n'est pas arriver, c'est partir. C'est l'imprévu de la prochaine escale, c'est le désir jamais comble de connaitre sans cesse autre chose. C'est demain, éternellement demain ...

Spleen de Paris

Publié le 28 Février 2006 par Simbad Detari in "SPLEEN DE PARIS "

          SPLEEN DE PARIS

 

 


Përmbledhja “Spleen de Paris” e njohur gjithashtu edhe me titullin “Les Petits Poèmes en prose” ( Poemat e shkurtera ne proze ), doli për here te pare me1869, ne kuadrin e një botimi”përfundimtar” te veprës poetike dhe kritike te Bodlerit. Disa prej poemave ne proze te atij botimi, ne fakt patën qene hartuar qysh ne vitin 1850 por, pjesa me e madhe e tyre qe shkruar mes viteve 1860 dhe 1865 pra, ne një epoke kur Bodleri, pothuajse kish pushuar se shkruari vargje. Ishte qysh me 1865, qe Bodleri pat hartuar një projekt – libër e kish vendosur ne te poemat te cilat ai kish zgjedhur e mendonte te bënin pjese ne te. Ato ishin gjithsej pesëdhjete proza poetike. Për shkrimin e tyre, ideja dhe frymëzimi Bodlerit i pat ardhur qysh pas leximit te “Gaspard de la nuit” te Aloysius Bertrand. ( Ne atë libër te vogël, Bertrand kish përmbledhur poezi pa rime te cilat nuk respektonin rregullat e metrikes, pra krejt ndryshe nge poezia tradicionale ). Ai u be kështu, themeluesi i një gjinie te re letrare e cila, pastaj, u  pasurua dhe fitoi plotësisht “qytetarinë” e saj, me botimin e prozave poetike te Bodlerit, Rambo-se si edhe poeteve te mëvonshëm surrealiste. Por, ndryshe nga Bertrand, imagjinata e te cilit pat qene frymëzuar nga legjenda te vjetra, Bodleri desh qe vepra e tij te trajtonte subjekte moderne te kohës. Duke e tejkaluar imazhin e ciklit “Tablotë pariziene” ( Les tableaux parisiens ) ai u interesua ne mënyrë te veçante për Modernen, ashtu siç ai e shihte dhe e përjetonte atë, ne një qytet te madh si Parisi. Pra, me idenë e dëshirën qe te kepte ato çka ishin eternele dhe esenciale, mes skenave te shumta e te ndryshme te jetës dhe shpirtit te tij e qe kane ne dukje shkëlqimin  e shkurtër te një vetëtime, ne errësirën e universit urban.

 

 

  Tekstet e meposhtme jane shqiperuar nga Vasil QESARI


ENDERRA


Ëndrra ! Gjithmonë ëndrra ! kjo doze “opiumi natyral” siç e quan Bodleri ne prozën poetike ”Grishje për udhëtim” (L'invitation au voyage), është një metafore e cila për poetin ne fjale shpreh domosdoshmërinë e te ëndërruarit, për te shpëtuar nga e përditshmja sfilitëse. Ëndrra për te qene gjetke nga ku ndodhesh është për te edhe ëndrra me e bukur ku”gjithçka është e bukur, e pasur, e qete, e ndershme ku, luksi dhe volupteti janë ne harmoni, ku jeta është e lehte dhe e ëmbël për t’u jetuar, ku lumturia lidh kurore me paqen”. Një ëndërr kjo, ne fakt e paarritshme dhe e rrezikshme e që provokon goditje te dhembshme kur ajo mbaron e njeriu “zgjohet” dhe realiteti i imponohet serish. Ëndrra, ne te cilat poeti gjen strehe për t’i mohuar vetes gjetjen e mundësive te reagoje, sepse sipas tij “ëndrrat e afrojnë atë me ato te cilat mund te quhen te mundshme”. Ja me poshtë edhe një tjetër “ëndërr” e Bodlerit, marre nga vëllimi “Le spleen de Paris”.  

 

                                                

                             

NE HEMISFEREN E FLOKEVE TE TU...


  ... Lermë t'u marr erë, të thith thellë, pafundësisht, aromën e flokëve të tu, të zhys në to krejt fytyrën si në ujët e një burimi të kristalte e, pastaj, me gishtat e mi t'i shushpuris ato si një shami erëmirë që shpërndan kujtime të ëmbla në eter. Ah, sikur ti të mund të imagjinoje gjith'ato që unë shoh, gjith'ato që ndjej, gjith'ato që dëgjoj në flokët e tu! Shpirti im lundron mbi parfume si shpirti i të tjerëve në muzikë... I zhytur mes flokëve të tu, shoh një ëndërr plot anije, vela e direke të cilët musonet i shtyjnë drejt klimash të mrekullueshme, mes detrash pafund, aty ku qielli është tepër blu e deti shumë i thellë, aty ku thithet ajër i parfumuar nga aroma e frutave, barit e lëkurës njerëzore. Ja, në oqeanin e flokëve të tu shoh një port plot dallgë këngësh melankolike, me njerëz të fortë racash të ndryshme e plot anije lloj-llojesh të cilat lartojnë arkitekturat e tyre të përkryera nenë një qiell të pafund ku prehët një ngrohtësi e përjetshme. Duke ledhatuar flokët e tu, ndjej ofshamat e lëngatat e dikurshme, të përjetuara shtirë mbi një divan, në dhomëzën e një anije të bukur përkundur nga valët e lehta të molos; aty mes vazo lulesh e amforash freskuese. Mes vatrës së zjarrtë të flokëve të tu, tani thith aromë duhani ekzotik përzier me opium e kallam sheqeri e, ndërkohë, në natën e flokëve të tu, më shfaqet shkëlqimi i pafund i kaltërsive tropikale; mbi brigjet e kadifenjta të flokëve të tu mbushem plot aroma ku ndjej përzier bashkë: gudron, myshk e vaj kokoje. Ah, lermë të kafshoj flokët e tu ! Kur fus gojën mes masës së tyre elastike e rebele, më duket se shijoj kujtimet më të ëmbla!...


 

 


DHOMA DYSHE


Ajo është një dhome qe ngjan me një univers ëndrrash, një dhome me te vërtet spirituale ku atmosfera e mbetur si e ngrire është ngjyrosur lehtësisht  ne roze e blu.Shpirti aty zhytet ne një banje plogështe, parfumuar me keqardhje dhe dëshire. Është një ndjenje e çuditshme qe përjeton aty, diçka si perëndimi i diellit, mes blusë dhe ngjyrës roze, një ëndërr epshi në eklips. Ne atë dhome, mobilet kane forma te shtrira, te sfilitura, te kapitura. Ato duket sikur përjetojnë ëndrra, sikur janë krijuar për te bere jete prej somnambuli, diçka vegjetale a minerale. Mbulesat përreth flasin një gjuhe memece, te shurdhet si lulet, si qiejt, si diejt ne perëndim. Mbi murre asnjë zhgaravine artistike. Përgjithësisht, ne ëndërr, ne përshtypjen e pa analizuar, ne artin e menduar, arti pozitiv është një blasfemi. Kurse, këtu gjithçka ka dritën e mjaftueshme dhe errësirën delikate te harmonisë. Nuhatet një arome fare pakëz e ndjeshme, zgjedhur ne mënyre tepër delikate, ku përzihet një lagështi tepër e lehte, një atmosfere ku shpirti i përgjumur përkundet nga ndijimet e një serre te vaket. Perdja e bollshme e fine prej mëndafshi derdhet si kaskade e lehte bore para dritareve e shtratit. Mbi shtrat është shtrire Idhulli, mbretëresha e ëndrrave. Po, nga erdhi ajo, gjer këtu? Kush e solli ? Cila fuqi magjike e vendosi ne ketë fron ëndrrash dhe volupteti ? E ç’rëndësi ka kjo ?Ajo është aty e unë e njoh.Ja ata sy ku flaka kalon perëndimin, ato sy finoke dhe te tmerrshëm si dy shënjestra, te cilëve unë ua njoh prej kohesh dinakërinë e frikshme. Janë tërheqës, robërues. Ata përpijnë shikimin e atij qe tregohet i pakujdesshëm e i sodit. Ata yje te zinj, te cilët imponojnë kureshtjen dhe admirimin me vëmendje, i kam studiuar. Cilit demon dashamires i detyrohem për ketë gjendje misteri, heshtje, paqeje dhe parfumesh? O lumturi ! Ai emër me te cilin ne quajmë përgjithësish jetën, bile edhe momentet tona me te hareshme, s’ka asgjë te përbashkët me ketë jete supreme te cilën tashme unë po e përjetoj e qe e shijoj minute pas minute, sekonde pas sekonde ! Jo ! S’behet fjale për minuta, s’është fjala për sekonda. Vete Koha s'ekziston me. Është Pafundësia ajo qe mbretëron, një pafundësi kënaqësish !Por, një goditje e tmerrshme, tepër e forte u dëgjua ne porte dhe, si ne ëndrrat e lemerishme, m’u duk sikur një maje kazme me shpoi thelle ne stomak.E, pastaj, ne dhome u duk një Spektër. E mbante dora e një përmbaruesi i cili vinte te me torturonte ne emër te ligjit ; te një gruaje e paturp qe bërtiste me te madhe për mjerimin e qe desh t'i shtonte gjithë banalitetin e saj dhembjeve te jetës sime apo, me sakte, ishte servili i një drejtori gazete i cili me kërkonte vazhdimin e një shkrimi. Dhoma e parajsës, idhulli, princesha e ëndrrave, Sylphide - ja vete, siç e quante i madhi René, gjithë ajo magji u zhduk nga zhurma brutale e goditjes se Spektrit. Tmerr ! S'e harroj, s’e harroj ! Po ! Ajo dhome, ajo karakatine, ai çast i një zhgënjimi pa fund ishin te miat. E, para meje, pashe te ndryshonte gjithçka. Mobilet  e humben hijeshinë, u vjetruan, u mbuluan nga një oke pluhur; oxhaku e humbi flaken dhe prushin, dritaret u trishtuan e xhamat u mbushen me vijëza pisllëku, dorëshkrimet u fshinë e u shfaqen te pashkruara, ditari im kish ca shenja te pakuptueshme te shkruara me laps ! E ai parfum i një bote tjetër, me te cilin isha dehur me një duf te pafund e tepër sensual, medet, ishte zëvendësuar nga një arome te qelbur duhani, përzier me një fare ere tjetër myku qe te përziente stomakun. Ne ato çaste, po thithja, kuterbimin e zhgënjimit. Ne atë bote te ngushte, por te mbushur plot  përçmim e neveri, me buzëqeshi vetëm një send: shishja e vogël e opiumit, mikesha ime e vjetër dhe e tmerrshme, si gjithë mikeshat, për fat te keq ! te mbarsura me përkëdhelje dhe tradhti. Po ! Po ! Koha e ndalur nisi te ece. Koha morri pamjen e pare : mbretëreshe e njëherësh perandoreshe e bashke me atë Plake te neveritshme erdhi edhe kortezhi i demonëve te saj me plot Kujtime, Plage, Spazma, Frike, Ankth, Lemeri, Tërbime dhe Neuroza. Ju betohem se ne ato çaste, sekondat nisin te bien fort e me një zhurme solemne dhe çdo njëra prej tyre, duke rene nga lavjerrësi i orës, thosh : Jam unë, Jeta, e padurueshmja, e pamëshirshmja, Jete !" S'ka asnjë sekonde ne jetën njerëzore, e cila te ketë për mision te lajmëroje Lajmin e Mire, lajmin e mire i cili i shkakton kujtdo një  frike te pashpjegueshme.Po ! Koha mbretëron : ajo nisi përsëri diktuarën e saj brutale. Dhe ajo me shtyn, si te isha një palaço, me hostenin e saj me maje te dyfishte : - Hy ! Ec para hajvan ! Djersitu, skllav ! Jeto, pra, i mallkuar

 

 

                                    
DRITARET 

  ... Ai që vrojton nga jashtë, për të mësuar se ç’ndodh pas një dritareje të hapur, nuk arrin të marrë vesh kurrë aq shumë gjëra, se sa ai që arrin të shohë matanë një dritareje të mbyllur. Nuk ka objekt më të thellë, më misterioz, më intrigues, më të errët e më verbues, se sa një dritare e ndriçuar zbehtë nga drita e mekur e qiririt. Ajo që arrijmë të shohim në mes të dritës së diellit, është gjithmonë më pak interesante se sa ajo që ndodh pas xhamave të një dritare. Në atë katror të errët e njëkohësisht të ndritshëm jeton jeta, ëndërron jeta, vuan jeta...Në një dritare të tillë, nenë harkun valë-valë të çatisë, shoh një grua të varfër, të moshuar, me rrudha, e cila nuk del kurrë jashtë, por rri gjithmonë e përkulur mbi diçka. Nga fytyra, veshja, lëvizjet e gjestet e saj, pa ditur pothuajse asgjë tjetër, kam arritur të njoh historinë apo me mire të them legjendën e saj, të cilën më ndodh shpesh t’i a rrëfej vetes duke qarë... E, them se, sikur të kisha qenë edhe unë një plak i tillë i gjorë, do kisha dashur të kisha bërë të njëjtën jetë si e saj. E, kështu, vete e bie të fle, krenar që kam jetuar e vuajtur në dhimbjen e të tjerëve. Ndofta, ndonjë nga ju do të pyesë: Po, ti, nga je i sigurtë që jeta e saj legjendë është e vërtetë?... Po, ç’rëndësi ka e vërteta që ndodh jashtë meje në se ajo, me historinë e saj më ka bërë të jetoj, të ndjej që ekzistoj e të di kush jam ?...

 


                                                              

I HUAJI

- Me thuaj, çfarë do më tepër, ti njeri enigmatik ?
- Babën,  nenën, motrën a vëllanë ?
- S'kam as babë, as nenë, as motër e as vëlla
- Miqtë e tu ?  .
- Po thoni diçka, kuptimin e së cilës gjer më sot, s'e kam njohur.
- Atdheun ?
- As qe di nga bie e ku ndodhet !
- Të bukurën ?
- Do ta doja me gjithë qejf, at’ perëndi të pavdekshme.
- Florinjtë ?
- Ato i urrej, po aq sa ju urreni Zotin - E, çfarë do atëher’,  i huaj i çuditshëm ?
- Dua retë. Retë që ecin lart në qiell aty lart, aty lart ... ato retë e mrekullueshme !

 


GRISHJE PER UDHETIM …


Thone se eshte nje vend i mrekullueshem ne Cocagne te cilin une enderroj t’a vizitoj me nje miken time te vjeter. Vend i veçante, i zhytur ne brymen e Veriut tone te cilin mund t’a quanim Orientin e Perendimit, Kinen e Europes, fryt i fantazise kapriçioze te bollekut qe e ka bere edhe te tille, pa zene ne goje pastaj pamjet e tij mahnitese. Ne Cocagne gjitheçka eshte e bukur, e pasur, e qete, e ndereshme. Aty luksi e kenaqesia jane ne harmoni; jeta eshte e plote dhe e embel; rremuja, zhurmat dhe te papriturat perjashtohen; lumturia ka vene kurore me heshtjen e ku, edhe vete kuzhina, eshte poetike, here-here e yndyreshme dhe eksituese; atje ku çdo gje ngjan me ju, engjelli im.
Patjeter, ti e njeh ate semundje te etheshme qe na ngjitet mes varferise sonte te ftohte, pra nostalgjine per nje vend te cilin s’e kemi pare kurre, ate ankth kureshtje qe kemi per te ? Ai eshte nje vend qe te ngjan ty, ku gjitheçka eshte e bukur, e pasur, e qete dhe e ndereshme. Ku fantazia ka ngritur e zbukuruar nje Kine perendimore, ku jeta eshte e embel per t’u jetuar, ku lumturia ka vene kurore me heshtjen. Eshte atje qe duhet te shkojme e te jetojme, eshte atje qe duhet te shkojme te vdesim !
Pra, eshte atje qe duhet te shkojme te thithim ajer, te enderrojme e te zgjasim oret per te perjetuar nje pafundesi ndjenjash. E di ? Nje muzikant ka shkruar nje kenge te cilen e ka titulluar "Ftese per nje vals" dhe eshte po ai qe do te kompozoje pjesen "Grishje per udhetim", te cilen do te mund t’i a ofroj gruas qe dua, te zgjedhures sime te zemres. Po, eshte ne nje atmosfere te tille qe do te duhej te jetonim. Te shkonim atje, ku edhe oret me te merziteshme kane me shume mendime se kudo tjeter, aty ku sahatet u bien tingujve te lumturise, me solemnitetin me te thelle e kuptimplote.
Nene tabelat plot shkelqim a mbi lekurat e çmuara te lyera ne ar, shpalosen papritmaz tablo pamjesh te bekuara, te qeta e pafund. Te tilla si shpirterat e artisteve qe i kane krijuar. Diejt qe digjen ne perendim, e qe pershkojne me rrezet e tyre dritaret e larta me mozaike xhamash te ndara me plumb, ngjyejne plot ar vendin ku rrime, sallen e ngrenjes dhe sallonin e shtruar me stofra te çmueshme. Mobiljet tona jane te medha, terheqese, te çuditeshme me brava sekrete si ato te shpirterave te rralle. Pasqyrat, metalet, pelhurat, arturinat dhe faiancat luajne per syte tane, nje simfoni te heshtur e misterioze e, nga te gjitha keto, nga çdo kend, nga anet e sirtareve dhe palat e stofrave, perhepet nje parfum i veçante, nje fare arome qe te fton ne vizitosh serish Sumatren e qe eshte edhe vete shpirti i apartamentit tone.
Eshte nje vend i vertete Cocagne, te them, i paqte e plot shkelqim, i bardhe si nje ndergjegje e paster, si nje varg kusish te arta bakri qe ndriçojne mbi kuzhine, si nje dyqan arturinash plot hijeshi, si nje bizhuteri qe te lebyr syte. Aty jane mbledhur gjithe thesaret e botes, si ne pallatin e nje njeriu qe ka punuar si askush tjeter, per te merituar plotesisht gjithe boten. Eshte ky nje vend i veçante, shume me lart nga te tjeret, ashtu siç eshte edhe Arti mbi Natyren.
Dhe te mundohen e te keputen ne kerkime, le te perpiqen te gjejne kufijte me te fundit te lumturise, keta alkimistet e luleve te papara ndonjehere. Dhe te behen dysh, per te bere realitet enderrat e jeteve te tyre te shkuara ne kerkime. Une, per veten time, e kam gjetur tulipanin tim te zi dhe dahline time blu ! Lulja e pakrahesueshme, tulipani i rigjetur, dahlia alegorike jane atje apo jo? Ne ate te bukur vend, aq te qete e enderrimtar ku do te duhej te shkonim e te lulezonim edhe ne ! Nuk ndjen ti, valle, tek vetja jote te njejten analogji, per te folur me nje te tille gjuhe mistike ne letrat e tua ?
Enderra ! Gjithmone enderra ! E sa me shume shpirti im behet ambicjoz e delikat, aq me teper enderrat largohen nga mundesia per t’i bere ato realitet. Cdo njeri enderron e shton ne to dozen e tij te opiumit natyror, i cili s’pushon se sekretuari e se u perserituri e qe nga femijnia gjer ne vdekje, s’arrin te numeroje oret e kaluara ne gezim nga shpirti i vendosur e deshira per t’i a dale mbane. A do te jetojme ndofta ndonjehere, a do te shkojme ne ate vende, ne ato tablo qe shpirti im ka pikturuar e qe te ngjajne aq shume ty ?
Keto thesare, keto mobilje, ky luks, ky rregull, keto perfume, keto lule magjike, jane ti. Je ti, gjithmone ti, pamja jote, imazhi yt edhe ne keto lumenj te zhurmshem e kanale ujrash te qete. Je ti edhe ne ate grumbull anijesh te cilat shkarkojne ne port, mallin e tyre te çmuar e nga ku ngjiten lart kenget e dokereve. Jane mendimet e mia ato qe perkedhelin rrotullueshem gjinjt' e tu. E ti, gjithe keto mendime te miat, i shpie embelsisht drejt detit, i cili eshte vete Pafundesia qe mbledh e reflekton nga vetja gjithe thellesite e qiellit ne vete qartesine e transparencen e te bukurit shpirtit tend. Dhe, kur te kapitur nga dallgezimi dhe gllenjkat e pijeve egzotike te Orientit, marinaret e bere tape, mbrijne ne portin e qytetit te tyre te lindjes, jane perseri mendimet e mia plot ide te praruara, te cilat rikthehen te pasqyruara nga Pafundesia perseri drejt Teje ...


IDEALI DHE REALITETI


... Pata njohur një farë Benedikta, një vajzë çamarroke në sytë e së cilës shihja gjithmonë vetëm madhështi, bukuri, lavdi e gjithçka që mund të merret si e pavdekshme. Një vajzë e cila, ngado që shkonte rrezatonte e shpërndante një atmosfere plot Ideale. Por, ajo krijesë e mrekullueshme, ish shumë e bukur për të jetuar gjatë. Ajo vdiq, para ca ditësh, jo shumë kohë pasi u njoha me të. Dhe e varrosa me duart e mia, pikërisht në një ditë pranvere e cila sa kish nisur të shpërndante erërat e saj të mira...Po, isha unë që e futa ne dhè, të mbyllur brenda e të parfumuar si në arkëzat e Indisë! E, ndërkohë që isha ulur pranë saj e sytë e mi qenë ngulur në vendin ku prehej thesari im, prej dheut endè të freskët pashë të delte një krijesë e vockël e cila ngjante si dy pika uji, me të zgjedhurën e zemrës sime. Ajo u shfaq para meje duke më folur me një zë të çuditshëm, arrogant e plot të qeshura: - S'më njeh?... Jam unë !... Unë, Benedikta e vërtetë! Jam unë ajo vashëza e pacipë! U ringjalla për të ndëshkuar marrinë e verbimin tënd e, që ti, paskëtaj, të më duash pafundësisht!... E, unë, plot zemërim, iu turra: - Oh... Jo! Jo! Jo! E, për të shprehur edhe me shumë pakënaqësinë e refuzimin tim, përplasa këmben mbi dhè aq fort, sa ajo krijesë e gjorë por e frikshme, u fut edhe më thellë në baltën e varrit endè të freskët duke renë brenda si ujku në çark e duke mbetur aty, përjetë, në atë që ishte ndofta, Varri i Idealit ...






MIRESITE E HENES 

Ndërkohë që ti ishe duke fjetur, tekanjozja Hënë, qe nga prapa dritares pa shtratin tend e tha: Kjo vogëlushe më pëlqen. Dhe zbriti butësisht shkallët prej resh e, pa bërë zhurmë, kaloi mespërmes xhamave. Pastaj, u shtri mbi trupin tënd me ëmbëlsinë e një nëne e, mbi fytyrën tende hodhi ngjyrën e vellos së saj. E sytë e tu u benë të gjelbër e faqet tepër të zbehta. E, pastaj, ndërkohë që ti ishe duke kundruar plot qejf atë vizitore të çuditshme, ajo t’u ngjit nëpër gushë, ta pushtoi gjoksin fort e sytë e tu, çuditërisht u zmadhuan shumë shoqëruar me një dëshire vajtimi, ndjenjë të cilën ti do ta ruaje përjetë.E, sakaq, e dehur nga lumturia, Hëna kish mbushur gjithë dhomën me një atmosferë fosforeshente si ajo e peshqve që natën lëshojnë drite e, mendueshëm, thoshte: Ti do t’i nënshtrohesh përjetësisht influencës së kësaj puthje. Ti do të jesh e bukur ashtu siç dua unë. Ti do të duash atë që dua unë dhe atë që më mua më do: ujin, retë, heshtjen dhe natën. Detin e pafund ngjyrë gurkali. Ujërat e tij herë të qeta e herë të trazuara. Vendet ku s’do vesh këmbë asnjëherë. Dashnorin që s’do ta njohësh kurrë. Lulet e frikshme. Parfumet që do të bëjnë të luash mendsh. Macet që zvarriten mbi piano e rënkojnë si gra, me zë të ëmbël që del nga gryka. E, ty do të të duan dashnorët e mi, ty do të vijnë rrotull kurtizanët e mi. Ti do jesh mbretëresha e njerëzve me sy të gjelbër. E atyre që u kam zënë frymën me puthjet e mia të natës. Atyre që adhurojnë detin. Detin e pafund, plot zallahi. Atyre që s’dinë ku ndodhen e mes grash që s’i njohin. Mes lulesh të çuditshme që i ngjajë temjanicës së një feje të panjohur. Mes parfumesh që prishin vullnetin dhe kafshësh të egra e epshore, te cilat janë idhujt e çmendurisë së tyre. E, është kjo arsyeja pse moj e mallkuar, vajze e dashur e nazemadhe që, tani, unë jam shtrirë pranë kembkave të tua, duke kërkuar në tërësinë e qenies tënde refleksin e Hyjnisë së dyshimtë, asaj, të rraskapiturës nunë, të fatthënës ndrikull, mëndeshës helmdhënse të gjithë lunatikëve ...

.  


Commenter cet article
A
Material luksos dhe i njelmët! i çmueshëm dhe i thukët!
Répondre