SToLiTE e DETiT
... Isha shtrirë përballë detit, në një gji të fshehtë shkëmbor që ndodhej poshtë një honi të frikshëm, në të cilin s’kisha venë këmbë kurrë. Ndodhesha në një humbëtire, harruar mes ngjyrës smerald të ujërave, qiellit blu dhe freskisë së gurëve ciklopike, përballë imazhit të largët flu të një ishulli të shkretë. Isha i mrekulluar nga ai gji i vogël, i panjohur i cili më çonte me imagjinatë larg, larg, ndofta gjer në ishujt egzotikë të oqeaneve. Isha përhumbur në mendime trullosëse, teksa merrja diell, shtrire aty mbi rërën e trashë e të ashpër apo, më saktë, mbi guralecë. Mendoja, si gjithmonë, për të dashurën time që më mungonte shumë. Pas ca ditësh, do largohesha përsëri prej saj e, kjo ndjenjë me bënte të vuaja, të vuaja shumë ... ... Sa fatkeq që isha !... Pas asaj Drite të Lëbyrshme që kisha përjetuar për ditë me radhë, mjerisht, tani do të bija plotësisht në një Errësirë pa Shpresë. E, duke menduar pikërisht këto, më lindi ideja që ditën e largimit, t'i lija asaj si kujtim lamtumire diçka, pikërisht prej atij vendi ku isha shtrirë e ku deti ngjyre gurkali përplasej ëmbël mbi shkëmbinj. Por ç'farë t'i lija? Imazhin e detit, ngjyrën e tij, atë ndjenjë të bukur përhumbje që përjetoja ? Nuk dija ! E ishte, pikërisht në ato çaste që dora ime nisi të rrëmojë lehtësisht mbi guralecë e, atëherë, në mënyrë instiktive thashë me vete: - E gjeta !... Do t'i dhuroj të dashurës sime, diçka të veçantë. Pikërisht Stolitë e Detit ! Dhe u ngrita. Futa duart thellë e nisa të kërkoj. Të zgjedh e të mbledh guriçka të vogla, me forma, trajta të veçanta e të çuditshme. Me bira, me gropëza, me njolla, vijëza të imta e rrëmba ngjyra – ngjyra vezulluese si qelqe ngjyrë gri, jeshile, blu e të kaltra. Ah, vërtet, s’kish më bukur se një dhuratë e tille! Me to, do të bëja pastaj një gjerdan për gjoksin e së dashurës sime, atë e cila ishte lumturia dhe vuajtja ime. Ja ! - thashë me vete - Këto janë Stolitë e Detit që mblodha për ty! Xhevahirët, diamantet, brilantet, rubinët, zefirët e tij. Këto janë stolitë më të bukura e më të çmuara në kujtim të së dashurës sime ...
Jonufër - 24 gusht 1970