
" PORTA E PERRALLAVE "
Isha këtë verë në Vlorë e, si për çdo vit tjetër, shëtita disa herë nëpër rrugicat e vjetra të qytetit tim, në Vrenez e Muradie, në Llonxhe e Skelë. Shkova dhe te shtëpia e mikut tim të vjetër, atij të cilin unë e quaja gjithmonë, "bukinisti Mendel". Kur mbërrita te porta, u ndala para saj e shumë kujtime ngazëlluese më erdhën ndër mend. M'u bë vetja sikur isha prapë adoleshent, si atëherë kur shkoja e takoja mikun tim të shtrenjtë Sotir Koçi, për t'i kërkuar libra për lexim. Se "bukinisti Mendel", kish një bibliotekë të pasur dhe ishte tek ai qe kisha gjetur, nder të tjera edhe botimet e rralla të viteve '30 e plot libra të tjera magjikë. Por, medet, miku im tani, nuk është më ! Ai ka vdekur qysh para dy vjetësh. Ditë më parë, kisha shkuar në varreza për të kërkuar banesën e tij të fundit por, megjithë përpjekjet e mia te dëshpëruara, s’arrita ta gjeja dot. Një burrë i vjetër me fytyre të djegur nga dielli, i cili me sa dukej punonte aty si varrmihës, u përpoq te më ndihmonte, por ishte e kotë. Në luginën e Babicës, varret ishin shumuar aq tepër sa që kishin mbërritur gjer në faqen tjetër, në kodrat përkarshi me ullinj. Për më tepër që, miku im, s’kish ndonjë varr me mermer e as me statujë, siç kishin bërë mjaft të tjerë njerëz të kamur. Ai kish vdekur tepër i varfër e qe kallur nën’ një copë betoni me emrin e tij përsipër, shkruar me bojë të zezë kundër ndryshkut. Dhe, ja, pas atij kërkimi të dëshpëruar për një njeri te dashur të cilit s’i gjendej as varri, tani ndodhesha para shtëpisë së tij mbetur bosh. Para asaj porte, e cila dikur hapej e më fuste në boten e magjishme të leximeve të mia djaloshare. Asaj që ish vjetruar aq shumë, sa që dukej se do ndiqte shumë shpejt fatin e zotit të saj. Asaj porte, të cilën po t’i vije dorë e të tentoje ta hapje, me siguri që do të binte duke rënkuar, plot dhimbje e vajtime. Në atë shtëpi, tani s'kish më këmbë njeriu. Gruaja e Mendeli-it, si edhe fëmijët e mbetur jetimë, kishin shkuar larg, në mërgim. Shtëpia qe braktisur dhe ish e heshtur e pa jetë! Por, megjithatë dhe pse e tillë, ajo e shkreta dhe e varfra strehëz, në ato çaste nuk e di pse, por m'u duk përsëri, po me aq dritë e shkëlqim, sikur të mos ish rrënojë por një pallat verbues, si ai i përrallave të “Njëmijë e një netë"...
Nga Simbad