Overblog
Editer l'article Suivre ce blog Administration + Créer mon blog
SIMBAD

Le voyage pour moi ce n'est pas arriver, c'est partir. C'est l'imprévu de la prochaine escale, c'est le désir jamais comble de connaitre sans cesse autre chose. C'est demain, éternellement demain ...

Paul Eluard - Poèmes d'amour

Publié le 10 Mars 2006 par Simbad Detari in POETES & POEMES ( Poetë & Poezi )


                                           

Paul Eluard ne bibliotekën e tij (1936)


Nga Vasil QESARI
                   

VJERSHA DASHURIE

Paul Éluard ( emri i vërtetë Eugène Emile Paul Grindel) është një poet i njohur francez i cili ndër të tjera luajti rol të rëndësishëm në gjirin e lëvizjes surrealiste. Mbas një fëminie të lumtur, në moshën 17 vjeç ai u sëmur rendë nga tuberkulozi dhe u shtrëngua të ndërpresë studimet për t’u kuruar. Më pas, më 1914 ai u mobilizua në ushtri dhe botoi poezitë e tij të para të cilat shquheshin për ide pacifiste ( Le Devoir et l'Inquiétude, 1917; Poèmes pour la paix, 1918 ). Fill pas luftës së parë botërore, Eluard u njoh me André Breton, Aragon, Sopault, Tzara, May Ran e Miro dhe, bashkë me ta, u aktivizua në lëvizjen DADA ( gjatë kësaj periudhe shkroi : Les animaux et leurs hommes, les hommes et leurs animaux, 1920; les Nécessités de la vie et les Conséquences des rêves, 1921), e më pas në grupin LETERSIA duke ju futur kështu aventurës surrealiste. (Mourir, de ne ne pas mourir, 1924). Në Zvicër, gjatë kurimit në sanatoriumin Davos, ai njihet me Galën  me të cilën u martua më 1917 dhe i kushtoi mjaft poezi. ( Ai do te ndahet me Galën me 1929 e cila, pas kësaj do të jetonte me Salvator Dalinë ). Paul Eluard trashëgoi një pasuri të madhe të cilën e shpenzoi duke bërë udhëtime e duke blerë vepra arti ( ai ishte një koleksionist i madh, fillimisht i artit negër e më pas i veprave bashkëkohore të cilat u’a blinte miqve të tij Ernst, Dali, Picasso, Man Ray etj). Ishte pikërisht gjatë një udhëtimi rreth botës qe ai u takua me Maria Benz (Nusch), artiste dhe këngëtare, modele e Man Ray dhe e Pablo Picasso, shoqja e tij e dytë e mrekullueshme e jetës me të cilën u martua më 1934 e që u bë muzë frymëzimi për disa prej poezive të tij më të bukura kushtuar dashurisë. (Capitale de la douleur, 1926; L'Amour, La poésie, 1929; La Vie immédiate, 1932). Në vitin 1926 u bë anëtar i Partisë Komuniste Franceze e më 1933 u përjashtua prej saj, por militoi për idetë e majta nëpërmjet krijimeve te tij me tema sociale e të angazhuara. ( Les Yeux fertiles, 1936; Cours naturel, 1938; Donner à voir, 1939). U solidarizua dhe mbështeti Spanjën Republikane ( La Victoire de Guernica, 1938 ), pastaj  morri pjesë në rezistencën antifashiste në Francë e gjatë asaj kohe botoi mjaft vepra në klandestinitet ( mes të cilave "Poésie et Vérité ‘42", e cila përmban edhe poezinë aq të njohur "Liberté"; Les Sept Poèmes d'amour et de guerre, 1943; Les Armes de la douleur, 1944 etj). Përveç përmbledhjeve poetike (Poésie ininterrompue, 1946; Corps mémorables, 1947; Tout dire, 1951), në të cilat u shqua si një krijues fantastik imazhesh ("La terre est bleue comme une orange"), ai përpiloi edhe një "Anthologie de la poésie du passé" (1951). Pas vdekjes së parakohshme të Nush, ai takohet me dashurinë e tij te fundit, një grua me emrin Domenique, së cilës i kushtoi përmbledhjen me poezi "Le Phénix". Paul Éluard vdiq nga një krizë kardiake në nëntor të vitit 1952 dhe u vendos në varrezat Père Lachaise në Paris. 

 

 


Nusch më I930

 

TE DUA

Të dua për gjithë gratë që s’kam njohur,

Të dua për gjithë kohët që s’kam rrojtur,

Për flladin e detit, për erën e bukës valë,

Për borën që shkrin e lulet që çelin radhë,

Për kafshët e buta që s’tremben nga njeriu,

Të dua për të dashur,

 

Të dua për gjithë gratë qe s’kam dashur …

Kush më jep dritë veç syve të tu,

Pa ty bota është e zezë si shkreti

Sa njerëz kane vdekur gjer tani,

Ne kohet qe s’njohëm unë dhe ti

E unë s’e çava dot murin e simes pasqyrë

E jetën m’u desh ta mësoj fjalë për fjalë

Këtë si ta harrojmë vallë ?

Të dua për zgjuarsinë që unë s’ kam,

Për shëndetin tënd që bukur e mban,

Të dua përtej çdo gjëje që s’është iluzion,

Për zemrën e amshuar që mua më mungon.

Ti thua se je dyshimi e në fakt s’je veç arsyeja,

Ti je dielli i madh që ngrihesh lart mbi krye

Aher’ kur bindem që ti je vërtet e imja …

("Le Phénix" -1950) 

 

KURBA E SYVE TE TU...


Kurba e syve të tu qarkon zemrën time,

E përreth saj hedh valle plot embëlsi

Aureolë kohe, djep nate i sigurtë

E në se s’di se ç’kam jetuar më parë

Kjo vjen nga që sytë e tu s’i kam pranë.

Gjethe ditësh, myshk trëndafili

Kallama erërash, buzëqeshje plot parfum

Krahë që mbulojnë botën plot dritë

Anije të mbushura plot qiell e det

Gjahtarë zhurmash e burime ngjyrash,

Parfume që çelin nga një gjithësi aurorash

Që prehen pafundësisht në kashtën e yjeve,

Ashtu si dita që zbardh nga pafajësia jote

Ashtu si bota vetë varet nga hirësia e tuve sy

Si gjaku i dejve të mi që troket në të tyrin shikime.

(" Capitale de la douleur " 1926)

 

TE KAM FOLUR

Të kam folur për retë,

Për pemët buzë detit,

Për valët, për zogjtë në fole,

Për zallin që zhurmon mbi ujë,

Për duart që t’i njoh aq mirë,

Për syrin tend pjesë peisazhi,

Për gjumin që qiellit ngjyrë i jep,

Për natën plot brymë,

Për trasetë e udhëve,

Për dritaren e hapur,

Për një ballë të mbuluar

Të kam folur për mendimet

Për  fjalët e tua e ledhatimet

E besimin tim që s’vdes kurrë …

 

MORTJA SE GJALLI 


Pres i pikëlluar

po as natën,

as ditën,

kurrë,

s’do vijë njeri

si më parë.

Sytë e mi

ndarë

nga sytë e tu,

zbrazur nga drita.

Goja ime

ndarë

nga jotja,

nuk shijon

më ëmbëlsi.

S’ka me gaz

e kuptim

ne jetë.

Duart e mia

ndarë

nga të tuat,

s’janë të zonjat

për asgjë.

Këmbët e mia

ndarë

nga të tuat,

s’bëjnë dot

përpara

se s’kanë rrugë

e s’mbajnë më

as vetë trupit tim.

Erdh’ koha

të jetoj

të jetës sime

fund

bashkë me ty.

Se jeta ime

ish forca jote

që unë mendoja

se ish pa fund.

E tash

e vetmja shpresë

është varri im

aty pranë teje,

rrethuar

nga një botë

indiferente.

Sa shumë

qeshë

pranë teje,

e tani

kam ftohtë

e dridhem

nga prania

e të tjerëve 

E vërteta lakuriq

" E di fare mirë " 

Dëshpërimi s’ka krahë

E as dashuria të tilla s’ka

S’kanë portret

Memece janë

S’lëvizin

S’flasin

Por, megjithatë,

unë jam po aq i gjallë sa dashuria

( e po ashtu sa vetë dëshpërimi ! )

 

Intimes V

S’dua gjë tjetër veç  ty të dashuroj

Stuhia shtrihet mbi luginë

E një peshk në përrua lëvrin

Të kam bërë shtatin e vetmisë sime

Botën e tërë për ta fshehur

Ditë e natë për t’u kuptuar

Për të mos parë asgjë në të tutë sy

Ajo që mendoj për ty

Është një botë me portretin tënd

Me natë e ditë që çelen nga qepallat e tua. 


Commenter cet article