Overblog Tous les blogs Top blogs Mode, Art & Design Tous les blogs Mode, Art & Design
Editer l'article Suivre ce blog Administration + Créer mon blog
MENU
Publicité
SIMBAD

Le voyage pour moi ce n'est pas arriver, c'est partir. C'est l'imprévu de la prochaine escale, c'est le désir jamais comble de connaitre sans cesse autre chose. C'est demain, éternellement demain ...

Primo Shllaku

Publié le 15 Avril 2006 par Simbad Detari in CRITIQUE LITTERAIRE ( Critique Littéraire )

PRIMO SHLLAKU

POETI I HESHTJES DHE DURIMIT

( Rreth vargjeve dhe personalitetit të atij që do ta quaja “Bodleri” shqiptar )

"Raca e shkrimtarëve nuk e njeh Ferrin. Një pjesë se banon në Qiellin e Shtatë, një tjetër se asht i dehun me vetveten, kurse të tjerët thjesht sepse janë ateistë. Por, fjalët e të tri kategorive, kur bien jashtë, shkojnë pa përjashtim të gjitha në ferr. Ato qëndrojnë si kufoma përtej caqeve të kohës dhe thërrasin me za dantesk autorin e tyre që t’i varrose ose t’i ndryshojë. E cili prej vdektareve mundi me u kthye mbrapa në kohë ? Unë mendoj se ferri i fjalëve mund të jetë sadopak edhe ferri i autorit … ". Primo Shllaku ( Nga "Dy fjalë për shkrimtarët" në hyrje të vëllimit me poezi "Edhe fjalët shkojnë në ferr") *** Prolog: Mik i shtrenjtë ! E mora me gëzim të veçantë, librin tënd të fundit me poezi ”Edhe fjalët shkojnë në ferr”, me dedikimin e çmuar: Për shokun e mikun, dashamirësin e bashkudhëtarin e Kohës së Durimit. Dhe e pashë, e lexova e po ashtu edhe u përpoqa ta deshifroj. Them kështu, sepse poezia mund të lexohet e të shijohet në shumë mënyra. Mund të gëlltitet e të shkaktojë pështjellim e të vjella, të përtypet si çimçakiz e pastaj të pështyhet tej me bezdi, të mbahet në gojë si llokum e pastaj, pas ëmbëlsisë, të ndjesh hidhërim. Por, ajo mund edhe të lexohet e pastaj të reflektohet rreth saj pambarim e, përsëri të lexohet e përsëri të reflektohet, gjer sa vërtet të ndjesh të mallkosh veten, se pse e ke lexuar. Pra, të përjetosh frikën e dyshimin se, me blasfeminë e saj, ka rrezik që si lexues ti të jesh bërë complice bashku me autorin. Thënë ndryshe, të kesh bërë një sakrilegj e, për pasojë, të shkosh bashkë me të në ferr ! – Poezia e Primo Shllakut bën pjesë në ketë kategori të fundit. Jashtë të zakonshmes ! Të asaj që lexojmë ditën e harrojmë natën. Plot absurde e paradokse. Një varg i ngjizur me ekstravagancë e çmenduri. Herë me sensibilitet, delikatesë, mirësi e butësi, e herë të tjera me kontrapunto therëse, dhimbje, mallkime, kontraste, makabritet, ironi e tallje ...

Por, ndërkohë, para se të flas pak më gjatë për poezinë e Primos, si mik i vjetër i tij, s’mund të rri pa u kthyer prapa në kujtime, një nevojë kjo e cila për të qënë tepër i sinqertë, më lindi qysh nga momenti kur preka kopertinën e librit të tij. Dhe kujtova shumë gjëra, të cilat tani i përkasin një të kaluare të largët e që s’di në se krahasimi është i goditur, ngjajnë me ato letrat a reliket tona intime të vjetruara e të zverdhura nga koha të cilat, ne i kemi vendosur prej kohësh që s'mbahen mend, diku, në një "sënduk" të fshehtë. Me shpresën e kotë e vajtuese se me to, një ditë do "çudisim" botën apo thjesht do të justifikojmë ekzistencën tonë banale mbi këtë dhè. Kujtime të magazinuara në rafte komosh me brava të ndryshkura. Veshur me një "tis" fluid kohor. Mbështjellë me një materie të paemër e cila s’mund të quhet as harresë e as kujtesë. Diçka që ngjason me Vdekjen, por njëkohësisht edhe me Jetën. Diçka e pa emertueshme, e cila është endur si hije mes amnezisë së një kohe në gjendje të vazhdueshme kome si edhe shëndetit të atyre pak gjërave "të vërteta" që mbetën të imprenjuara në memorien tonë të durueshme, duke u bërë kësisoj, pjesë e qenies dhe ekzistencës sonë shpirtërore e fizike ... Kjo letër që po të nis, miku im, është shkruar në disa ditë, në orë mëngjesi e netë të vona, në gjendje të mirë shpirtërore e në "zbaticë" të plotë morali. Ajo s’është thjesht letër, por dhe mozaik kujtimesh, refleksionesh e mendimesh. Jo vetëm jehonë e marrëdhëniet tona, ndjenjave e sprovave tona letrare të shkuara e të sotme, por edhe rreth gjithë atyre që pame e përjetuam. Parë në këtë plan, kam përshtypjen se kjo letër ka nisur të shkruhet jo para ca ditësh, por shumë e shumë vite të shkuara, fill pas shkëputjes sonë, në kohën e përfundimit të jetës studentore; shkëputje e cila pastaj ka vazhduar në vite si një monolog i zhvilluar në distancë e mbetur vazhdimisht pa përgjigje. Kësisoj, këto faqe të shkruara ngjajnë me një letër të vonuar, të mbetur diku në "kutinë postare" të një vendi të humbur e të mbërritur papritur në destinacion pas dekadash. Imagjino habinë e marrësit, në çastet kur ai hap zarfin e zverdhur e të zhubravitur nga vjetërsia e gjen brenda në të, një letër që i përket një kohe tjetër. Një letër të mbritur tepër vonë në destinacion, endur plot dëshpërim e ankth shtigjeve e monopateve të jetës, për vite e vite pambarim, duke sjellë kështu, vazhdimin e një bisede të këputur brutalisht apo, ndofta, vetë absurdin e një ekzistence imagjinare në rrethana të cilat s’kthehen kurrë më. Në fakt, për të qenë i sinqertë, ashtu siç mendoj se jam në karakter e siç më ke njohur dhe ti, kjo dëshirë s’është thjesht një shprehje e nostalgjisë për vitet tona të rinisë, të cilat, të mira apo të këqija, qenë pjesë e ekzistencës sonë. Për mua, në këtë mes, ka diçka e cila është shumë më tepër. Krahas kujtimeve, të cilat janë më se të natyrshme për vetë moshën tonë të atëhershme, ( plot ndjenja e dëshira për të zbuluar horizonte të tjera ), ato që janë brejtëse e pengje në shpirtin e njeriut, mbeten pikërisht dhimbjet për ato çka humbur, revolta ndaj atyre që i vranë apo i tjetërsuan ndjenjat e jo vetëm ato. Por, përse kështu? Përse vallë gjatë gjithë jetës, kam qenë e kam mbetur një "rêver" i pandreqshëm, njeri që kam jetuar vazhdimisht më tepër me të kaluarën se sa me të ardhmen ? Sepse të ardhme, për brezin tonë nuk pati. Mbeti të këtë vetëm të kaluar. Kështu që, duam apo s'duam, ne do mbetemi në shumë aspekte robër të së shkuarës e, kjo, jo vetëm pse aktualisht ndodhemi në dhè të huaj e as thjesht nga nostalgjia e "ksenitisë", por nga pamundësia për të jetuar natyrshëm në një atdhe të lirë, pa intriga dhe egërsi, pa hipokrizi e injorancë. Pra, pikërisht, për atë arsye që ti e nënvizon dukshëm, në vëllimin tënd poetik "Lule nate" e që unë e quaj sintezë ekzistenciale. Pra, pikërisht për atë që "brezi im ( ynë ) asht brezi ma fatkeq nga të gjithë brezat që janë gjallë sot në Shqipni" ...

... Dhe le të vijmë tani, ( me gëzimin naiv të një adoleshenti dhe nënqeshjen e hidhur të moshës burrërore ), te një kohë drithëruese. Tek ato "copëza" të gjora e tepër modeste të ca prej kujtimeve të jetës sonë plot trauma. Te koha e viteve studenteske. Ndofta më mashtruesja e ekzistencës sonë mjerane. Fakulteti me orët e kota të leksioneve. Byrekët 8 lekesh, të mëngjeseve tona të varfra, blerë tek baraka e xha Aristidhit. Copëzat e letrave në prozë që shkëmbenim në orët e mërzitshme të Materializmit Dialektik. Sytë mavi të Luljeta K e cila me sharmin e saj bënte të ëndërronim spikeret e televizionit italian. E, më tej, diskutimet për letërsinë: Sharl Bodlerin, Rembonë e Verlenin. Për Rëne Klerin, Beatles, Zhan Gabë e Zherar Filipin. Për Sanremon e dëgjuar në "dhomën e shkodraneve", me friken e përgjimit nga sekretari i rinisë, Zyber G. a ndonjë spiun i tij ... Kush qe për mua, aso kohe, Primo Shllaku? Ashtu si David Koperfildi i cili pat zbuluar shokun e tij të ngushtë të kolegjit, Stritfordin, edhe unë kisha zbuluar mikun tim, Primon, duke i a dedikuar atij, më pas, shumë veti e shije të asaj adoleshence e formimi të vonuar. ( Primo që preferonte jo rastësisht e, gjithmonë, veshjet e errëta të cilat, bashkë me zbehtësinë e fytyrës, i jepnin atij pamjen e dikujt që kishte zbritur aksidentalisht nga një planet tjetër e që jetonte midis nesh krejt gabimisht. Aty, në një mjedis ku, ai e ndjente veten dëshpërueshëm të huaj, në një vend e shoqëri krejt tjetër nga ato, për të cilat ai kish lindur) ... ( Në parantezë ) Po shkëputem pak prej kujtimeve e po citoj diçka nga vetë mendimet e tua shprehur në Parathënien e librit tënd të parë Lule nate e që them se përkojnë absolutisht me ndjenjat dhe konsideratat e mia të shprehura më lart e në vijim:”Na asistuem në indiferncën e të tjerëve që, të ramë lehtësisht në grackën e vitrinës, na vështronin me një perziemje frike dhe çudie si diçka zbavitëse dhe ekzotike. Natyrisht, unë s’bëja pjesë në kategorinë e atyre që të shihnin me frikë e çudi! Përkundrazi, miku im, ti ndikoje tek unë në çdo gjë e, vazhdimisht, për mirë. Mbi të gjitha, në shikimin tënd për jetën. Me një sens krejt tjetër nga realiteti totalitar që na rrethonte. Me një ndjenjë të fshehtë rebele që kish brenda saj, zemërim e protestë, qesëndi e përçmim. Me një sens të hollë të përmbajtur por brivido, për të bukurën e gjithçka që ish e huaj e sidomos oksidentale. Me ato mistere idesh e konceptesh që askush prej nesh s’i njihte, e që ti i mbaje fshehur ne vetvete.Aty, brenda një "kasaforte", çelësat e së cilës qenë hedhur përgjithmonë në një pellg të thellë helmi, fataliteti e deziluzioni. Sepse, Primo Shllaku, ishte vërtet një sfinks ! ...

Ti, atëherë, ishe vërtet "star" i dijes por, mbi të gjitha, i heshtjes e indiferencës, vuajtjes e dhimbjes. Ironisë e përçmimit. Krenarisë e përbuzjes. Shumë të paktë, ose ndofta askush, arrinin t’i kuptonin ato. Sepse qe tepër e vështirë të mund të çaje, të zbuloje e pastaj të dekriptoje HESHTJEN tende. Se ajo qe vetë deviza jote. ( A ka njeri që flet kaq pak si puna ime ? A ka njeri që duron kaq shumë si puna ime ? – “Arti si anmik” ). Edhe pse, brenda heshtjes tende, kish shumë klithma. Edhe pse në qetësinë tende kish tërmete e, në durimin tënd, padurim. E, unë, dije, të kam çmuar pikërisht për ato cilësi e, ka qene ajo arsyeja që ti mbete jo vetëm një shok, por edhe një shembull për t'u imituar. Natyrisht geni yt, ADN - ja jote s’ngjanin me të miat. Ti ishe nga Veriu, pasardhës njerëzish të kultivuar e të diplomuar në seminaret e universitetet e Evropës, religjiozë apo laikë. Me kulturë, koncepte e vështrime të emancipuara për jetën e lirinë. Ndërsa, unë, vija nga Jugu, prej një mjedisi social e familjar tjetër. Por, me një tipar ndofta tepër dallues. Me sensibilitet e kërshëri për të zbuluar e kuptuar lirshëm misteret e jetës. Dhe, u bë pikërisht aty, në fakultet, ballafaqimi dhe njohja jonë e parë, jo vetëm si studentë, po dhe në aspektin gjenetik, social, ideor, krahinor e moshor. E, në atë proces, s’pati asnjë problem. Përkundrazi, shumë gjëra na bënë të konvergojmë, fillimisht në heshtje e distancë e, më pas më direkt, në mirëkuptim të plotë e konsideratë të ndërsjellët ... ... Vijojnë pastaj një sërë ngjarjesh, për të cilat ti ishe personazh e që mua s’më vjen rendë të t'i them, edhe pse e di që ti s’dëshiron të t'i përmend. Mbi të gjitha, zbulimi nëpërmjet teje i simbolisteve franceze: Bodlerit, Verlenit, Rembosë. Njohja me "poetet e mallkuar", shënoi një çbërje, një përmbysje, një ekzistencë të re në shpirtin tim. Edhe sot e kësaj dite, s’arrij të kuptoj se si ish e mundur që, me njohuritë e mia minimale të kohës, në gjuhën e Molierit, të mund të arrija të kuptoja e të pushtohesha aq shumë nga ata autorë. Nga magjia e verbit simbolist bodlerian. Nga vokabuleri i tyre i padëgjuar kurrë më parë e që përmbante fjalë, gjendje e koncepte poetike e shpirtërore, gjer atëherë krejtësisht të panjohura. Të tilla si: alkimi dhembjesh, madrigalë të trishtuar, klithma mjelmash, spleen, metamorfoza vampirësh, femra lesbike, kadavra të krimbzuara, danse makabre", shatërvanë gjaku, parfume egotike, vallëzime gjarpërinjsh, lumenj harrese etj. etj. ... Mik i dashur ! Do të doja të shkruaja diçka për vëllimet e tua e, veçanërisht, për këtë të fundit: Edhe fjalët shkojnë në ferr. Por, para se gjithash, dëshiroj të them se ato janë një dhurate tepër e çmuar për mua. Diçka, të cilën e kërkoja me insistim, qyshkur morra vesh që kishin dalë "në dritë". Sepse, duke pasur në dorë poezitë e mikut tim të mirë, po i hiqja vetes një peng të vjetër. Një dëshirë të hershme për ta "zbuluar" Primo Shllakun, në një aspekt që s’kisha mundur t'a njihja kurrë. Ja pse, para se ta bëj këtë, ( pra që të flas direkt për poezinë tende ) dëshiroj sërish të meditoj e të kthehem përsëri tek e kaluara. Në ato kohë vrastare, kur ti kishe për dashnore vetëm Heshtjen, sa e sa herë kam pyetur veten: A mund të shkruante poezi Primo e, nëse po, ç'poezi do ishin ato ? E, asaj pyetje, pastaj, i përgjigjesha po përsëri vetë, duke arsyetuar pak a shumë kështu: Primo, natyrisht që mund të shkruante poezi e në gjini të tjera letrare. Kjo s’ishte aspak problem. Problem ishte se ç’lloj poezie mund të shkruante. Vallë, poezi si ato që shihnim të dielave në gazetën Drita, të cilën e blinim me një monedhë 5 lekësh, në Broduej ? Jo, absolutisht, ajo as që mund të mendohej. Atëhere, duhej të behej fjalë për poezi të një natyre krejt tjetër, të cilat ai padyshim, i mbante fshehur, diku në një bllok sekret shënimesh a fletore klandestine ?! Jo, them se as këtë s’e bënte, Primo Shllaku !

... Ai qe katërcipërsht inteligjent, ( e, ndër të tjera, zotëronte në mënyrë perfekte edhe atë instinkt të përsosur mbrojtje, të kalitur nga përvoja e vuajtjeve e terrorit që kishin hequr shumë nga rrethi i tij ). Pra, Primo, për fat të tij e më gjerë, kish përvetësuar në mënyrë të natyrshme atë aftësi që të mos linte asnjë gjurmë, asnjë shenjë, asnjë dëshmi të asaj çka ai kish në mend. Por, atëherë, si ja bënte vallë ai për të bluar gjithë ato superndjenja, gjithë atë materie e lëndë shpirtërore që ziente brenda tij ? Ashtu si kafshët ripërtypëse, gjykoja unë, të cilat ribluajnë ushqimin e ditës gjatë natës, edhe ai i sillte e risillte përbrenda vetes ( si në një mekanizëm plot ingranazhe të komplikuar ) idetë, vargjet, fjalët e simbolet e tij letrare. Ai krijonte e ndërtonte gjithçka në shpirt e, pastaj, i magazinonte ato në kokë, duke i mbajtur xhelozisht të fshehura aty. Të paktën, ( e për këtë ai qe i sigurtë gjer në vdekje ), në kafkën e tij, s’do mund të depërtonte askush. Sepse, ajo ish një kasafortë, çelësat e së cilës i mbante ai e vetëm ai. ( Poezia ime asht poezia e heshtjes. U krijuan dhe kurrë s’dolën prej mitrës që i ushqeu ). Pra, përfundimisht, isha plotësisht i bindur që Primo, qysh në Kohën e Heshtjes, durimit e përballimit të përbuzjes, krijonte poezi të cilat qeshë i ndërgjegjshëm se ishin krejt ndryshe nga ato që botoheshin me tonelata në shtypin e kohës. Poezia e Primos, ishte e Primos dhe ... pikë ! Vite më vonë, kur kaluan shume kohë dhe u rikthehesha kujtimeve të viteve që kaluam bashkë si studentë, s’mungoja të pyesja përsëri vetveten: Aty në atë humbëtire ku e kane syrgjynosur, ç’bën vallë, Primo? A shkruante ? E, në se shkruante, si do të ish poezia e tij ? ( Për mue heshtja u ba Kishë, poezia altari i saj dhe unë që veja papra në vazot e tij lulet e mia të natës – ”Lulet e natës” ). Informacionet nga miku im ishin zero: Ku ndodhej, ç’bënte dhe me se merrej Primo ? Ishte kjo, një pyetje që përmblidhte një hark kohor prej shume e shume vitesh, pothuajse një jetë të terë. Nëse ai, s’ishte thyer a vetëvrarë, pa dyshim që do kish bërë diçka. Paçka se ajo, ndodhej salduar mirë brenda kasafortës së tij. Në të kundërtën, po qe se ishte "dorëzuar", fundi i tij do të kish qenë edhe më katastrofal e tragjik. Sepse, me të tillë materie ishte mbrujtur ai njeri ! ( ”na asistuem në mrekullinë e përzgjedhjes spontane që na dha mundësinë të gjenim vlera themelore aty ku ato as që priteshin. Na mbritëm deri tek kufijtë e ekzistencës, te koma sociale, te HESHTJA dhe atje ndertuam çerdhen tonë të fundit. Ky qe shansi ynë i parë ( dhe i fundit, do të shtoja unë ) i vetë mbijetesës” ...) ... Fakti i bukur që sot, mbaj në duar vëllimet e tij poetike e që pa dyshim, në të ardhmen do kem kënaqësinë të kem dhe shumë krijime të tjera, më jep lajmin e gëzuar se Primo Shllaku është “gjallë" e s’ka qenë "dorëzuar" kurrë ! Ai arriti t'a shohë "çastin fatlum", të asaj që kish ëndërruar e shpresuar e që një dite edhe mund të ndodhte, por me bindjen se jo në të gjallë të tij. Të arrinte atë që ishte objekt i poezive të tij, LIRINE. Por jo, një liri thjesht politike a sistemi social, por të diçkaje e cila qëndron, komplet, jashtë kornizave të mendimit fillestar të individit i cili i ka shpëtuar për mrekulli, kasaphanës totalitare. Diçka sublime, eternele, të pakapshme, të pa formë, diçka që ka trajtat e paqarta të një ëndrre për të cilën njeriu, uron të mbetet gjithmonë ëndërr e të mos bëhet kurrë realitet. I lirë të merret, pra, me mjeshtërinë e “zejtarisë” së fjalës. Them “zejtari” e jo thjesht art, nga që fjala mund të farkëtohet vetëm në zjarr e, ajo, ashtu si heshtat e sëpatat, mund të përcjellë edhe shumë mëkate. Sepse, siç shprehet me të drejtë Primo: Fjala âsht arma vrastare, por edhe balsami që shëron. Poezitë e tua, lulet e tua të natës, siç i quan ti, janë njëkohësisht edhe Lule të së Keqes e dhimbjes së shpirtit e ato, ndër të tjera, më kujtojnë Charles Baudelaire. (... Poezitë e mia ... kishin të bënin me natën e krijesat e saj: andrren, makthet, përbindëshat, frikën, veten tonë të panjohun e të pazbulueme, diktaturën e përsëri andrren" ). Por, dihet, realiteti kohor e fati individual i Bodlerit, universi i tij krijues dhe vuajtja e thellë e shpirtit të tij përballë mjedisit social mashtrues, shtypës e hipokrit të kohës. Përballë varfërisë e borxheve, ëndrrave e realitetit, dashurisë dhe zhgënjimeve. Dritës e hijeve. Se mirës e se keqes. Vdekjes e amshimit, shpirtit e materies, artit dhe banalitetit, ëndrrave e opiumit, femrave dhe kënaqësive voluptuoze. Poezia e Bodlerit është jo vetëm plot kontraste dhe dridhërime, plot ankthe dhe neuroza, por mbi te gjitha është protestë. Shprehja e një ndjenje lirie universale, dëshira për te shkallmuar me përbuzje një sistem "vlerash" hipokrite, false, meskine e të degjeneruara. Klithma e një shpirti jo vetëm të ndjeshëm poetik, por dhe të një transformuesi të "kodeve" letrare e morale të kohës. Por, a ka paralelizma mes epokës totalitare shqiptare dhe universit bodlerian ?

Them se ka e, bile, shumë. Është kjo arsyeja pse, Bodleri, pat qenë prej kohësh e mbetet gjithmonë, autori yt i preferuar, frymëzuesi, idhulli, referenca jote e përhershme vuajtëse poetike. Herë-herë, ky frymëzim i natyrshëm e i pashmangshëm prej poezisë së tij, edhe pse dëshiron të shprehë një simbolikë në kontekst tjetër, është aq interesant sa që mendoj, ( kjo gjë mund të nuhatet vetëm nga njohës të mirë të Bodlerit ), se shpaloset qartë. ( Duert e mia bajnë dashuri lesbike, nen përqafimin plot fantazi të prangave" – “ Etyd” ). Ose të vijojmë më tej, me ndikimin e natyrës sensuale të vargut bodlerian: ”Syni im i etur / do ta ndjeke dhe ai / linjën e njohun të supit tand / të ijës / dhe të kofshës – “Kam me jetue” ). Ashtu si për Bodlerin, dashuria për ty është një plagë që ti thua se: s'duhet t'a shëroj ( Dashunia për ty ), e cila pastaj të kujton edhe një rimineshence të dashurisë së Balzakut ndaj konteshës Hanska, në një letër të të cilit shkruhet se: dashuria për ty është një sëmundje nga e cila s’dëshiroj të shërohem kurrë ... Natyrisht, ndryshe nga ti, unë s’e kam përjetuar tout à fait gjendjen e pozicionin tënd dramatik e, përveç kësaj, s’e kam të lindur genin poetik, nervin dhe sensibilitetin e analizës letrare e figurative të asaj morie mbresash të marra nga realiteti i përjetuar në kushtet e tua specifike. Po ashtu, ndofta edhe atë forcën e duhur sintetike të shprehjes së ndjenjave, me aq mendim të koncentruar, të krijuar në rrethanat e një ekzistence tejet të veçantë. Por, kam dëshirë të citoj këtu, një mendim shkruar në Projektin e Parathënies së librit tënd se: poezia ime asht poezi e heshtjes. Ai që lexon Projektin e Parathënies e bashkë me të fjalët drejtuar "Lexuesit", mendoj se ka marrë në dorë atë që diku e kam quajtur mot de passe, e cila lejon të hyjë pa vështirësi në botën dhe kuptimin e vëllimit. Aty është sinteza, motivi-bazë, shpjegimi, misteri, makthi, frika dhe njëkohësisht, kuraja e shkrimit dhe ekzistencës së poezive të tua. Aty qëndron drama e, kjo është një nga gjërat më tronditëse, por dhe më emocionuese të librit. Drama dhe koshienca e faktit të pranuar me sinqeritet dhe burrëri se, në epokën që lamë pas, ”ne asistuem në pafuqinë tonë fajtore për t'u thëne jo fakteve që na përlanë jetën, energjitë, moshën, përpjekjet, andrrat". Ndërkohë, shumë subjekte e pasazhe të poezive të tua të natyrës lirike nuk janë thjesht, të bazuara mbi marrëdhëniet ndiesore të dy personave. Poezia jote lirike, merr karakter universal, në kuptimin e një universi realo-absurd i cili kufizonte e mbyllte çdo horizont përreth nesh. Në një klime të tillë asfiksie, lirika jote gulçon e merr frymë si aziatike. Nenë koracën e një atmosfere mbytëse, plot "tabu", të cilat u japin ndjenjave e raporteve intime njerëzore, një fatalitet e pesimizëm të pashmangshëm omnisocial. Kësisoj, të tilla janë simbolika e ndjenjës së përbashkët për "ajrin" që s’duhej por që ishim të shtrënguar t'a thithnim ( Ka diçka në ajër ), për ”fytyrat me shumë dritare”e terr përbrenda ( Intimitet ), për ditën”kur shpina jote mbeti në fund të rrugës” me shpresën e takimit në një”ditë të pacaktueme” ( Dita e pacaktueme ), apo për”qytetet e varrosuna të kohës së humbun”, përkundrejt diejve që rrahin pragun e shtëpisë tende të lindjes ( Një çast që zgjat ) e lumenjtë që ecin drejt fatit të "ngarkuem me temat muzgore të "Qytetit Kryepremë" ( Lumi ).

Them, po ashtu se, po aq i mrekullueshëm është edhe pasteli që ti përdor për të ngjyrosur”tablonë e qytetit tënd pa ngjyrë që luan trishtueshëm tangon makabre të vdekjes ” ( Nostos ). E përsëri, në atë atmosferë zie, ngre krye motivi yt i Heshtjes, motiv dominant që gjallon Netëve ( Mosprani ) e, më pas, ai gjykim, sa i dhembshëm po aq edhe i vërtetë se,”dashunia ik, ik gjithmonë”, se”se ajo”s' ka fytyrë, ka vetëm shpinë” e, me pas, dyshimi apo mëdyshja se”ajo kthehet e vjen prapë. Ndoshta ... ( Dyshi ). Dhe pse ti, pretendon figurshëm se, poezia ”Incompiuta”, është e pa përfunduar, në idenë e ndjenjën që t'i ke përjetuar me një pasion diabolik bodlerian, ajo me metaforën e përkryer dhe antoniminë e saj goditëse, ( të cilat dalin jo prej racionalitetit intelektualo - poetik por prej sensibilitetit e përjetimit sublimo - fiziko - psikik të një pasioni me përmasa të pa përshkueshme ndiesore ), ajo pra, për mendimin tim, bën pjesë në radhën e një prej poezive më të mëdha e më të bukura të vëllimit. E kjo e ka një arsye, kjo ndodh për faktin se shpirti yt vuan, sepse ti dhe ajo jeni diçka e “pambarueme”, diçka që qëndron gjithmonë pezull mes tokës e kozmosit, mes reales e ireales, mes së vërtetës e gënjeshtrës). Sepse bota jote, nen lëkure dhe ndër sy, është krejt tjetër nga bota e të tjerëve; është produkt i një muzike të dalë nga "fyejt që bien ndër kockat" e tua, në "një stinë të pritun" që ti mendon se s’do vije kurrë e që, përveç dhembjeve e "spleen"-it, s’ka për të sjellë kurrë ndonjë çast të gëzueshëm në jetë, sepse ti "je bira e zbrazët që len dielli kur ikë" por, njëkohësisht "edhe bira e plotë që ban hana kur vjen" ... ... Dashuria jonë, Primo, mendoj se shpesh herë, në mos në më të shumtën e rasteve, është torturë e kujtimeve të shkuara. Sepse për ty "dashunia nuk ka të ardhshme, ajo ka vetëm të kaluemen". Pra, të kaluarën e një kohe kur "lumenjtë ishin kufijtë e botës" e kur ti dashuroje një "grua arkivol". Atëherë kur nuk shikoje me larg se bregu tjetër përballë teje. Një kohë kur ti "s'kishe harxhuar asgjë nga e ardhmja", kur ende nuk arrije të kuptoje se kjo e ardhme do të kish pamjen e një gryke të frikshme shpelle ku "ti ishe stalaktiti e ajo stalagmiti". Por, medet, në dashuri, llogaritë nuk ka bere kurrë vaki të dalin, "jek e jek". Është përsëri xhelati Kohë që prish gjithçka. Ajo KOHE me germa të mëdha, së cilës për një çast ti i besove pa ditur se ajo ka rregullat e saj të lojës, nga të cilat ti ishe i përjashtuar ( shumë kohë përpara se sendet të bëheshin pjesë e jotja ). Se ti e dashuria, ishit "të ndryshëm", ndaj ajo s’zgjati për ty në amshim por vetëm "një jetë". Sepse dashuritë e tua, Primo, kane filluar gjithmonë "prej gjysmës", ndaj edhe jeta e tyre ka qenë vazhdimisht e shkurtër ... Intermexo në vend të “Non Comment” 1) Cilët janë "ATA" për të cilët nuk do të flitet më ? Ata për të cilët u fol sa për të mbaruar fjalët ? Ata që do flitet edhe fare për pak kohë ?... ( "Non comment" i një poezi pa datë ). 2) Kush guxoi të bëjë një poezi të tillë për "HUNDEN" ? Për atë që të gjithë e nderojnë për çdo mëngjes me grusht ? Për atë që ne i detyrojmë jetën" ? Për atë që ne i këndojmë dite e natë ? Për atë që i urojme të rrojë më shumë se bjeshkët tona ?... (

Përsëri "non comment" i një poezie pa datë ). 3) Thuaj një qind herë "ashtu", përsërite edhe njëqind herë të tjera fjalën "ashtu". Goja e mendja jote ka për të përsëritur përgjithmonë të njëjtën fjalë. Sepse vërtet "ashtu" ka qenë ... ( Edhe një herë tjetër "Non comment" i një poezie pa datë ). 4) Ata, donin vdekjen tende PRIMO por, njëkohësisht edhe lindjen e OMIRP-it. Cili është ky emër i panjohur ? do pyesësh ti. Hiç, një emër pa rendësi, si mijëra, si miliona të tjerë ... ( "Non comment" për një poezi pa datë ) 5) Flaki tej lulet e së keqes të shoqëruara me klithma dëshpërimi, po ashtu edhe gonxhet vrasëse e opium – ndjellëse ! Vetëm kështu do të përjetosh dashurinë tende të ... njëanshme ( "Non comment" për një poezi pa datë ) 6) Mesha mortore e vargjeve të tua, duket se nuk arriti të këtë Te deum - in e gjëmës që ti u kishe parashikuar. Për habinë tende dhe ne të tjerëve! Për fatin tënd e tonin ... nata u kthye në ditë dhe dita në nate e yjt vazhdojnë të xixëllojnë pa pushim në qiell duke thyer gjithë ligjësitë kozmike ... ( Dy fjalë për poezinë pa datë: Meshë mortore për vargjet e mia ). Fund i intermexos ... Koha e jetuar prej teje, Primo, ishte ajo e paradokseve më absurde. Koha e mënyrës "kushtore". Koha kur ashtu si për gjithë bashkëkohësit e tu çdo ditë e jotja ishte "saktësisht e përsosun" me çdo ditë të tyre. Koha kur ti dhe liria, ( të cilën ti e thërrisje me emrin X ), u ngjante dy pemëve që "era i afronte", por që qenë të dënuara "të vdesin veç", ashtu si "peshku i vogël" të cilit "një diell i a nxehtë i thithte ujin". Ishte koha kur "dielli kthehej ne qé që lirojnë mbas perëndimit ", kur të vërtetat e dritës së tij ktheheshin tek ty në vargje, të cilat binin pastaj dhimbshëm si "gozhde çekiçi" mbi trupin e Jezu Krishtit. Ishte koha "e dehjes me shishe”, atëherë kur ti thërrisje për të kërkuar shpëtim me klithjen "unë due të fluturoj", të fluturoje "si shpend" i lirë. Por s'qe e thënë ! Ish e ndaluar! Atëherë ... shyqyr që ka natë. Shyqyr që Zoti ka krijuar natën! Pa çka se ajo ka "klithma, bile përbindësha"! S'ka gjë, Primo, mos u frikëso! Vetëm natën, ti mund t’i mbash mend të gjitha, sepse, ti e ajo, keni të njëjtën "shenjë", të njëjtin talisman. Vetëm natën ti "ke një zemër që rreh dëshira të forta". Jetoje pra, natën ! Freskinë e saj. Se ditën mbi buzët e tua "etja është prapë e verdhë". Vetëm natën, fjalën Dashuri, ti mund ta zëvendësosh lirshëm me fjalën Liri ( Dashunia jo ... ). Rrugë tjetër s'ka ! Sepse ti dhe jeta jote, jeni të rrethuar me "gurë"; ti nuk ke se ç'humbet, për ty "rrezik vdekje është njëlloj si të thuash rrezik jete"... ... "Edhe fjalët shkojnë në ferr" – kjo përmbledhje poetike, simfoni dhimbje, revolte e trishtimi e cila ka brenda saj lëngatën e Requiem – eve të Moxartit, së cilës ti i vure "fjalë të reja", mund të them se mbyllet me Testamentin tënd. Ai është sintezë e jetës tende. Është histori e rrugës se përshkruar me këmbët që vendosen "që ti te ishe aty e jo aty ku duhej të ishe". Me duart e tua "të vetmet këngëtare të heshtjes". Me kokën e cila "ka dashtë që ti të doje vdekjen". Ajo kokë sovrane që të ka urdhnue këmbët, që vazhdon ende të lëshoje klithma prej shpendësh detare, në një mjedis ku ndodhen njëkohësisht "deti i ndrymë, pylli i ndezun dhe reja epshore". Është testament vdekje e jo vetëvrasje. Sepse, ata e kishin vrarë vetëvrasjen !

Gjëma e zezë, tmerri e përsosmëria e makinës dërrmuese totalitare, bëhet kështu edhe imperatorja e vdekjes, e cila arrin të zotërojë plotësisht monopolin mizor të mortjes. Është ajo dhe vetëm ajo, e cila cakton e vendos se ku, kur e si do të vdesë a do t’i merret shpirti një gjallesë. Them gjallesë, në sensin e një frymori, sepse ajo makinë e përbindshme morti, ka të vetën monopolin e llahtarshëm të vdekjes, duke sfiduar kështu çdo Perëndi. Në rrethana të tilla, vetëvrasja s’ekziston, ajo është e drejta vetëm i saj ! ( Lum ata që përshtaten ). Ndërsa, në një cikël poezish që enden si re të ngrysura në qiell të zi, lexuesi ndjen thellë qëndresë e durim. A mos vallë në to, poeti bën rolin e Mesisë ? Absolutisht jo ! Ato, janë poezi ku referenca të padukshme të natyrës religjioze, mendoj se nuk kanë të bëjnë aspak me subjekte a inspiracione biblike, por u referohen kalvarit të vuajtjeve, dhimbjeve, spleen – it e dëshpërimit, të cilat s’të çojnë drejt vdekjes por rincarnazioni - it. ( Betlehem, Udha e Krygjës, Kreshmë, Ftesë ) Epilog: Epilog i këtyre radhëve, mendoj pra, se është pikërisht kjo poezia – testament që vijon më poshtë. Poezi e shkruar me ironi të thellë, shoqëruar me një solemnitet diabolik funerali, për t’u hakmarrë ndaj atyre që të çuan në ferr, duke u lëne pas fjalën tende që ata të gëzojnë padrejtësisht, në parajsë. Shkurt muhabeti: në një botë dhe tejbotë të kthyer bythëpërpjetë ! Është kjo arsyeja pse, në vend të fjalëve të fundit, të cilat do të ishin lapidar prej balte ndaj një njeriu që s’merr vesh nga poezia, si edhe gjithë atyre që shkruajnë vargje të damkosura për të shkuar direkt e në ferr, unë preferova pikërisht vargjet e poezisë me poshtë, të cila janë dhe epilogu i këtyre shënimeve të mia modeste, rreth poezisë së Primo Shllakut: ARNA BORE Atë ditë kur të iki do të jetë nji ditë me borë. Kuaj të mdhej me trokun epsharak do të pjerdhin me zâ të naltë gjatë ktij udhtimi. Zogj të ngrimë, veshun randë për jaz glacojnë shpirtin e vet në vend të duartrokitjes. Nji çetë e krrusun hijesh çan me gulshim, skllopin e ndytë të borës e lagun deri në sqetull. Gjurmët e tyne të murrme e vijat e rrotave janë poezia ime e fundit për kët sezon. Në atë furrë ku do të pushoj, prapë do të përgatitem, që të kthej si shpend i nxehtë në atë stinën tjetër plot arna bore. ( 18.01.2002 )  

 


 


Publicité
Publicité
Commenter cet article
Publicité