GisHtaT blU
- Do kap qiellin me duar e gishtat do më bëhen me bojë -
… Përfytyroni një fëmijë që luan me gjithçka që ndodhet përreth: me lodrat e tij natyrisht, por edhe me gurët, tokën, pemët, kafshët, zogjtë, lulet e qiellin. Qiellin ? Po si mund të luhet me qiellin ?... Po, fëmijët lozin edhe me qiellin ! Ata ngrenë duart lart, i zhysin ato në blunë e tij e shohin drejt thellësisë së pafund. Picërojnë sytë e vëzhgojnë retë e figurat fantazmagorike që ato krijojnë. E, pastaj, si të zgjuar nga një gjumë i ëmbël e magjik, ata rendin e duke treguar duart, nxitojnë t’i thonë nenës së tyre :
- Mama, mama !... Shih !.. Kapa qiellin e gishtat më janë bërë me bojë !...
Kështu janë edhe poetët. Fëmijë ëndërrimtarë të cilët lozin duke ngjyer gishtat, aty lart në blunë e qiellit, për të na sjellë pastaj që andej, këtu mbi tokën tonë, krijimet e tyre të bukura : Poezitë.
… Simbad Detari, dikur në rininë e tij, provoi edhe vetë të shkruajë e të grisë me dhjetra fletë të shkruara me poezi por, me pas e kuptoi se ky « zanat » nuk ish për të, edhe pse poezinë e ndjente dhe e përjetonte, si rrallëkush. Pastaj, në rrjedhën e viteve, ai u bë lexues e fans i pasionuar i saj e, pak nga pak, nisi edhe të përshtatë e të shqipërojë disa prej tyre. ( Mirë a keq, ai i’u fut kësaj pune fillimisht, thjesht për kënaqësinë e tij e, më pas edhe për t’i ndarë ato, me miqtë e tij të ngushtë. Natyrisht, pati edhe nga ata që thanë se ai ish një përkthyes i keq e, pati edhe nga ata që e përgëzuan, nga qe i pëlqenin e i gjenin ato interesante ). Por, qëllimi i këtyre radhëve nuk është t’i bëhet apologji Simbadit por që, herë pas here, t’i paraqesim lexuesit, shqipërime nga autore të poezisë botërore.
… Poezia ?!... Ndofta, njerëzit, në përgjithësi e kanë zët poezinë, ndofta nga që ajo në përfytyrimin e tyre, ka mbetur si një kujtim i vagëlluar i viteve shkollore kur, t’i mesoje përmendësh ato, ishte një "torturë" e vërtetë. Por, le t’a themi qysh në fillim, poezia para së gjithash është ideal, pasion, dashuri. Këto ndjenja mund t’i gjejmë në vargjet e Naimit, Mjedës, Nolit, Poradecit, Kadaresë, Primo Shllakut, Bodlerit, Rambosë, Apolinerit, Preverit etj. por mund t’i gjejmë edhe në një pjesë muzikore, në penelin e një piktori, në kalldrëmin e një rruge, në një kaush me gështenja te pjekura a me patate frite. Në një ekran kinemaje a në shikimin e një femre. E kam thënë një herë, diku, se poezia ka një sekret të cilin duhet t’a zbulojmë të gjithë. Tek ajo, e rëndësishme s’është thjesht ajo çka lexojmë, por ajo që shohim kur arrijmë të zbulojmë të padukshmen, esencën, kuptimin e saj të vërtetë. E, për t’a arritur këtë, nuk mjaftojnë vetëm "sytë e ballit", por duhen edhe "sytë e shpirtit"…
… Falë mjeteve të reja të komunikimit, ku vendin kampion pa dyshim e zë interneti, vetmia që ndjejnë njerëzit në përgjithësi e, mërgimtarët në veçanti, s’është më një Fatalitet e, Poezia, ndofta, mund të jetë një nga mënyrat për t’a ndjerë jetën me pak tragjike e me më tepër kuptim. Është kjo arsyeja pse, Simbad Detari, në shënimet e tij të cilat ai i ka titulluar "Gishtat Blu", do të marrë guximin e do ketë kënaqësinë, t’i u sjellë here pas here të shqipëruara POEZI të ndryshme …
… Et Dieu, au commencement, créa la PAROLE !
Për mua si edhe për shumë të tjerë, fjalët janë si guackat e detit. Kur ato nuk janë bosh, pa « mish » e pa asnjë lloj interesi, atëhere unë nis udhëtimin tim fantastik. Unë vendos veshin mbi një Fjalë dhe dëgjoj dallgët e detit, dëgjoj një zemër që troket, dëgjoj dashuritë e gjithë botës.
… Lexim të kendshëm !
© Simbad
***
Guillaume Apollinaire
POEMES A LOU
Më 1914, në Nicë, Gijom Apolineri (Guillaume Apollinaire 1880-1918) njihet me një grua të re, personaliteti i së cilës e tërhoqi dhe e magjepsi si rrallë herë. Ajo qe, Louise de Coligny-Chatillon të cilën André Rouveyre, e ka përshkruar si: plot ndjenja, e lehtë, e ç’penguar, e ashpër, feminore, e ndjejshme, e ftohtë e nevrike pra, si të thuash, disi e çuditshme dhe origjinale. Ata njihen nga afër e shpejt mes tyre shpërthen një pasion i pa përmbajtur që i shpie në një aventurë të pashembullt. Ai njohu te ajo një voluptet të rralle, një erotizëm delikat e njëkohësisht violent. Ajo quhej Louise, por Apolliner gjithmonë e quajti "e vockla ime Lu". (Lu - shkurtim i emrit Luiza). Një dashuri që zgjati gjatë gjithë jetës së tij e që, ai i dedikoi një libër të mrekullueshëm me poezi, të njohur në gjithë botën.
E EMBLA IME, LU !
E vogla, e ëmbla ime Lu, të dua,
Ylli im i shtrenjte e drithërues, të dua,
Trup delikat e tepër elastik, të dua,
Gjoks i majtë, i rrallë e provokues, të dua,
Gjoks i djathte, i bute si trëndafili, të dua,
Thithka të vogla, me ngjyre shampanje, të dua,
Kërthizë si hënë e ngrenë, te dua,
Ije të bardha me dritë mermeri, të dua,
Kofshë si kolona tempujsh antike, të dua,
Seks i erret si pyll në dimër, të dua,
Qafëz me kurbat e një mjelme, të dua,
Veshë të brishtë si bizhu meksikane, të dua,
Flokë të ngopur në gjak dashurie, të dua,
Shpinë harmonike me kurbë për mua, të dua
Gojë e ëmbël e plot nektar, të dua,
Shikim i zjarrte, plot dritë si yll, të dua,
Duar që ngjallin veç adhurim, të dua,
Hundë e vockël, e imtë, aristokrate, të dua,
Hap i hedhur plot nur si në valle, të dua,
Oh, Lu-ja ime e vockël, të dua, të dua, të dua !...
KUR DO TE SHOH PRAPE ...
Kur do të shoh prapë, Lu, e dashura ime ?!
A do t'a shoh prapë Paris-in dhe dritën e tij të mekur
të fërgëllojë rreth fenerëve, mbrëmjeve në mjegull ?
A do t'a shoh Parisin dhe buzëqeshjet nenë vel,
kembkat e shpejta të grave të panjohura,
Kullën e Saint - Gérmen de Prés,
shatërvanin aty në Jardin de Luxembourg ?
Kur do të shoh, e adhuruara ime,
e adhuruara ime e vetme!
Ty, dashuria ime e zjarrtë?...
Te dua me gjithë shpirt,
të dua si askush,
Lu-ja ime e vogël, e hijshme !
Dhe dua të të rrok, dhe dua të të puth...
Shqiperuar nga Simbad
© Simbad